Një bast i fituar me meritë të plotë. Kështu e cilëson faqja e specializuar “Lalaziosiamonoi” këmbënguljen e Igli Tares për të afruar te Lazio në vitin 2012 të riun shqiptar, Thomas Strakosha. Për gardianin kuqezi, drejtori sportiv i bardhekaltërve i kërkoi presidentit Claucio Lotitto një çek “qesharak” në termat futbollistikë prej vetëm 75 mijë Eurosh në krye të 5 viteve, investimi i klubit roman është shumëfishuar. Në fakt, koha i ka dhënë të drejtë ish sulmuesit shqiptar që tashmë mund të fërkojë duart sepse me rinovimin e disa javëve më parë.

Strakosha është blinduar deri në vitin 2022 dhe porta e bardhekaltërve është e sigurt edhe për disa sezone. Gjithsesi, nëse Strakosha do të shitej sot, vlera e tij sipas observatorit virtual të futbollit (CIES) shkon deri në 18.6 milionë Euro. Nëse 22-vjeçari vazhdon rrugën e nisur këtë sezon ku ka arritur të tërheqë vëmendjen e shumë klubeve, atëherë nuk është aspak habi që vlera e tij të rritet edhe më shumë deri në fund të sezonit. Fakt është se një emër shumë më mediatik si Donarumma, krahasuar me shqiptarin, nuk arrin të bëjë diferencën me Milanin e tij dhe në këtë mënyrë, brenda pak kohësh Strakosha mund të rivalizojë edhe me kolegiun e tij kuqezi që e mbylli javën e fundit me një gafë aspak normale për një portier të kalibrit të tij.