Thomas Strakosha sapo ka festuar 25-vjetorin e tij, por mund të mburret që tani se ka një vend të veçantë në historinë e klubit të Lacios. Në fakt, ai që tani mban një rekord të tijin, të cilin vetëm mund ta përmirësojë në vijim.
Portieri shqiptar, në muajin janar ka arritur të hyjë në renditjen e 10 gardianëve me më shumë ndeshje me fanellën e Lacios. Tani, shifra ka arritur në 154, që nuk është pak, pasi e bën atë portierin e 10 me më shumë sfida të luajtura në historinë e skuadrës bardhekaltër. Arritje që bëhet edhe më prestigjioze nga fakti se asnjë portier jo italian nuk ka bërë më mieë se ai, pasi ata 9 që kanë luajtur më shumë, janë të gjithë vendas.
Kjo është meritë e një vazhdimësie të jashtëzakanshme të gardianit shqiptar i cili në tre kampionatet e fundit në 102 ndeshje, ka munguar në fushë vetëm në 3 sfida. Në total ai regjistron 120 ndeshje në Serinë A, 14 në Kupën e Italisë, 2 në Superkupë dhe 18 në Europë.
Shifra mbresëlënëse për portierin shqiptar që u bë titullar thuajse pa dashje për shkak të dëmtimit të Marketit, e tani është pjesë e ekipit që ka mbrojtjen më të mirë këtë sezon në Serinë A.
Nëse kampionati vazhdon, për Strakoshën do të jetë mundësia të kapërcejë edhe vendin e 9 të Gradella, vendin e 8 të Blason dhe të arrijë legjendarin Sentimenti. Ndërkohë, ai pret fundin e karantinës për të hedhur firmën në rinovimin e kontratës me klubin që nuk dëshiron ta lërë t’i ikë nga dora portieri shqiptar i cili u ka mbyllur gojën me paraqitjet e tij të gjithë atyre që mendonin se nuk e meritonte atë fanellë. Shifrat flasin vetë. /vipsport/