Nëse Veleçiku ka bërë paraqitje të mirë këtë sezon, padyshim që është meritë e të gjithë lojtarëve, e po ashtu edhe e stafit teknik dhe drejtuesve të klubit. Pjesë e kësaj paraqitje të mirë është edhe mesfushori Suad Bega.

Ai iu bashkua koplikasve në fillim të sezoni teksa erdhi nga “Vllaznia B” dhe ka qenë në të gjitha takimet si titullar duke u konsideruar “motori” i vërtetë i mesfushës së tyre.

Në një intervistë për “Shkodra Sport” numri 8 i Veleçiku flet për ndeshjen e së shtunës me Veleçikun dhe shpreh bindjen se skuadra do të marrë një rezultat pozitiv dhe më pas në “Reshit Rusi” do të ketë festë.

– Do të fitojë Veleçiku të shtunën ndaj Burrelit?

– Të them të drejtën jemi stërvitur gjithë javën për ndeshjen e së shtunës me Burrelin pasi është një ndeshje që vlen për të gjithë sezonin. Me të sigurojmë qëndrimin në kategorinë e parë dhe besoj se do ia dalim duke siguar një rezultat pozitiv. Luajmë në fushën tonë dhe me ndihmën e tifozëve do ta kthejmë në festë ditën e shtunë.

– Ju mjafton edhe barazimi. Do të ishit të kënaqur vetëm me një pikë apo do synoni fitoren?

– Matematikisht për të siguruar kategorinë e parë na mjafton edhe barazimi, por në fushën tonë në çdo ndeshje futemi për të marrë tre pikët. Edhe ndaj Burrelit është e njëjta gjë, edhe barazimi do ishte Ok por ne do të japim çdo gjë për ta fituar atë.

– I kënaqur me paraqitjen tuaj në këtë sezon të parë me Veleçikun?

– Të them të drejtën deri tani jam i kënaqur me paraqitjet që kam bërë por gjithmonë ka vend për përmirësime. Ky ishte sezoni im i parë tek Veleçiku dhe jam ndjerë shumë mirë në rradhët e tij. Çunat e ekipit më kanë pritur shumë mirë, e po ashtu edhe drejtuesit. Po ashtu dua të theksoj se tifozët tanë të mrekullueshëm që më kanë mbështetur jo vetëm mua por të gjithë ekipin. Shpresoj që të shtunën bashkë me shokët, t’ua shpërblejmë këtë mbështetje dhe të sigurojmë qëndrimin në kategorinë e parë pasi Veleçiku e meriton këtë gjë.

– E fundit, ku do ta shohim Begën sezonin e ardhshëm?

– Kam disa oferta, por të shohim pasi njëherë dua të mbyll këtë sezon në mënyrën më të mirë me Veleçikun dhe pastaj të shoh për të ardhmen.
© shkodrasport.com