Dy nga lojtarët më të mirë të akademisë Vllaznia, Uheid Hoxha dhe Eridon Qardaku, në momentin që pritej të kalonin në ekipin e parë, befas lanë skuadrën e të rinjve dhe u transferuan në klube të tjera. Mesfushori Hoxha firmosi te Besa e Kavajës, ndërsa sulmuesi Qardaku me Bylisin e Ballshit.
Në Shkodër këto lëvizje kanë surprizuar jo pak, pasi bëhet fjalë për dy talente, që çuditërisht Vllaznia nuk arrin t’i mbajë për t’i afirmuar në Superiore. “Panorama Sport” kontaktoi dje me administratorin e klubit kuqeblu, Suad Lici i cili ne lidhje me kete çeshtje eshte pergjigjur:
“Për mua nuk ka të bëjë fare me keqmenaxhim të lojtarëve të rinj. Gjithsecili ka të drejtë të thotë mendimin e tij në këtë drejtim. Ne u kemi afruar oferta lojtarëve të rinj me ato mundësi që ka klubi. Normalisht, ne nuk kemi atë fitim që mund të kishim nëse këto lojtarë do të aktivizoheshin një apo dy sezone me këtë skuadër.
Gjithsesi, mund të them se edhe vlera e formimit është një luks në aspektin financiar. Në rastet e lojtarëve në fjalë, pra Hoxhës e Qaradakut, dua të theksoj se nga ana jonë nuk u ka munguar oferta. Por, tani të gjithë kërkojnë që të shikojnë anën financiare dhe jo të luajnë për këtë ekip. Ne lojtarëve të rinj u ofrojmë edhe mundësitë e huazimit dhe mendoj se për të gjithë këta do të ishte diçka pozitive.
Unë, dy të rinjve u uroj shumë suksese dhe shpresoj e besoj që ashtu si edhe të tjerë, të shkojnë përpara. Nga ana tjetër, u them se nëse do të ishin në stemën e Vllaznisë dhe të huazoheshin në çdo skuadër tjetër, do të ishte më tepër pozitive. Ne kemi asete konkrete, lojtarët që kanë dalë vonë nga akademia, të cilët u larguan dhe e theksoj është e drejta e tyre që tani kërkojnë të rikthehen sërish te Vllaznia.
Mendoj se me shumicën e të rinjve kemi vepruar drejt, duke i bërë pjesë të klubit tonë. Tani është në dorën e tyre që ashtu si Krymi, Sherri, Gurishta apo edhe emra të tjerë, të rrisin vlerat e tyre financiare nga viti në vit. Edhe në kontratë e kanë të theksuar se nëse do të jenë titullarë, do të shprehin vlerat e tyre edhe aspekti financiar do të vijë në rritje. Por, kjo gjithmonë fitohet me punë. Ne japim shumë për të rinjtë, më pas është në dorën e tyre për t’i rritur kredencialet personale”, u shpreh administratori Suad Lici për “Panorama Sport”.