“Jam optimist se ndryshimi në stafin drejtues të klubit do të sjellë një tjetër situatë te Vllaznia”. Kështu është shprehur dje  ish-kapiteni i Vllaznisë, Suad Lici. Një nga lojtarët e shquar shkodran në dekadën e kaluar, ka komentuar zhvillimet e fundit te skuadra kuqeblu. Në fakt, Lici ka qenë një nga lojtarët që ka një kontratë të pazbatuar nga ana e ish-presidentit Agron Çela. Por, duke krahasuar situatën që ishte te Vllaznia, ish-mesfushori mendon se tashmë është kthyer besimi. “Duhet të jemi realistë se gjendja te Vllaznia nuk është aspak e mirë. Unë e kam theksuar edhe më parë se bashkia do ta kishte të vështirë për ta administruar e vetme klubin. Nuk ka qenë ndonjëherë Vllaznia në të tilla situata. Sigurisht, ka pasur momente të këqija, por edhe gjetur zgjidhja, ndërsa këtë herë çdo gjë ka shkuar keq. Kjo më shtyn që unë ta them me plot bindje se një kthim i biznesmenit Çela mund të sjellë edhe ndryshimin. Çdo lëvizje bëhet për mirë dhe unë mendoj se edhe në këtë rast ka për të ndikuar për mirë tek ekipi. Nuk është aspak e lehtë për ta ndryshuar menjëherë këtë situatë, por megjithatë unë mendoj se Vllaznia përherë ka ditur të gjejë forcë për të ndryshuar”, – ka thënë fillimisht Lici. Merkato – Për Licin afrimet në këtë periudhë nuk janë të lehta për t’u bërë. Kjo edhe për vetë faktin se mungojnë lojtarët cilësorë që i duhen sidomos një klubi si Vllaznia. “Natyrisht që Vllaznia do të ketë të nevojshme dy apo tri përforcime tejet cilësore. Ato do të rregullonin shumë punë në këto momente. Por, vijoj të jem i mendimit se Vllaznia nuk ka shumë nevojë për lojtarë që nuk bëjnë diferencën në këto momente. Stafi i ri mendoj se do të arrijë të bëjë më të mirën në këtë drejtim për të arritur kthesën e duhur në rezultate dhe lojëra. Afrimi i kualiteteve, që duhet thënë se në Superligë janë me pikatore, mund të jetë edhe një garanci më tepër”, – përfundoi ish-futbollisti.
Admir URUÇI