Nuk ka më kthim pas, Suad Lici jep dorëheqjen e parevokueshme nga Vllaznia. Administratori, pasi ka njoftuar kryebashkiaken Voltana Ademi, ka hequr dorë nga posti që mbajti për afro tri vite.
Edhe pse mandati i përfundonte më 21 korrik 2021, ai e ndërmori këtë hap. Tashmë është vetëm çështje procedurale që këshilli mbikëqyrës ta miratojë ose refuzojë kërkesën e tij, ndonëse vetë 46-vjeçari është i prerë.
Kujtojmë që ai e drejtoi klubin në periudhën më të errët të historisë, pikërisht kur kjo skuadër ishte në Kategorinë e Parë. Mes shumë problematikave që e kanë shoqëruar gjatë kësaj kohe, duket se administratori është lodhur. Që prej ardhjes së sponsorit Alban Xhaferi, ai ka dalë në plan të dytë dhe kjo ka bërë që edhe daljet para mediave t’i shmangë totalisht.
E megjithatë, vetë Suad Lici i kontaktuar nga “Panorama Sport” qartëson shkaqet që e çuan drejt dorëheqjes. Tregohet tejet i rezervuar në atë çka thotë, ndonëse saktëson se vendimi vjen për çështje personale.
“Gjithçka në këtë drejtim ka qenë personale. Unë jam dorëhequr për arsye personale nga ky post. Do të vijoj që të jem pjesë e pandarë e Vllaznisë. Nuk ka asnjë arsye tjetër për këtë dorëheqje. E kam marrë në situatën më të vështirë dhe kam bërë maksimumin për këtë klub”, u shpreh shkurtimisht 46-vjeçari.
Ai nuk ka pranuar që të flasë më gjatë, duke lënë të kuptohet se ndoshta do të ketë një periudhë të dytë për të zbardhur më shumë rreth arsyeve që e çuan në këtë vendimmarrje.
KANDIDATI PËR ZËVENDËSUES
Këshilli mbikëqyrës i klubit pritet të zgjedhë edhe pasardhësin e Suad Licit, i cili e mbante këtë detyrë që nga vera e vitit 2018. Në Shkodër kanë nisur që tani të mendojnë për zëvendësuesin dhe kandidati i parë që ka dalë në skenë është Benjamin Naku. Ai nuk është emër i panjohur në qytet pasi dikur ka qenë gjimnast i Vllaznisë dhe aktualisht është edhe anëtar i këshillit mbikëqyrës të klubit.
Tani pritet që këshilli mbikëqyrës të japë vendimet e veta si për dorëheqjen e administratorit të tri viteve të fundit dhe njëherësh të caktojë të riun. Nëse do të përzgjidhet Naku, atëherë ky i fundit duhet që fillimisht të japë dorëheqjen si anëtar i këshillit në fjalë.