Ndeshjet e djeshme të vlefshme për javën e pestë të Superligës, përveç sfidës së luajtur në Shkodër në mes Vllaznisë dhe Flamurtarit, kanë patur brenda edhe disa lajme të tjera në lidhje me futbollistët shkodranë që aktivizohen në ekipet e tjera të kampionatit shqiptar. Kështu dy prej tyre, pikërisht Xhevahir Sukaj dhe Sindrit Guri kanë rezultuar përcaktues për ekipet që përfaqësojnë, Partizanin dhe Kukësin teksa kanë shënuar gola të rëndësishëm të cilët kanë ndihmuar që ato të marrin fitoret e shumëpritura.

Në Lushnje, goli i Gurit ka ardhur në minutat e para të pjesës së dytë kur rezultati ishte ende i barabartë, çka i hapi rrugën suksesit të kukësianëve në këtë takim. Po ashtu, Sukaj ka shënuar pak minuta para përfundimit të ndeshjes në Durrës, gol që ka ardhur nga pika e bardhë e 11-metërshit duke i dhënë fitoren e parë të kuqve në këtë kampionat. E nëse këta dy shkodranë kanë rezultuar përcaktues, nuk ka ndodhur kështu me një tjetër. Ansi Nika ka humbur një 11-metërsh për Laçin në minutat e fundit të ndeshjes në Korçë, me të cilin kurbinasit mund të barazonin 2-2. Ai ka qenë i pasaktë përballë Shehit dhe kësisoj gabimi i tij i ka kushtuar jo pak skuadrës që ai përfaqëson.

© shkodrasport.com