Duket se nuk është vetëm një hamendësim apo sajesë e medias, por mesa duket largimi i dyshes sulmuese më të mirë të kampionatit shqiptar, Xhevahir Sukajt e Armando Vajushit, është i sigurtë në janar. Të dy futbollistët e Vllaznisë, e kanë pohuar dje këtë fakt për gazetën “Metropol Sport”, duke dhënë, madje edhe detaje.
“Është e sigurtë se unë do të largohem në janar nga Vllaznia. Këtë e them me bindje të plotë. Sikurse thashë në verë, se në atë periudhë, nuk do të largohesha nga kuqeblutë dhe e mbajta fjalën, tani ka ardhur moment për t’u larguar dhe këtë do ta bëj në janar”, ka thënë në fillim për gazetën tonë, golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar, të deritanishëm, Xhevahir Sukaj. Më pas, duke u ndalur tek e ardhmja e tij apo destinacioni i mundshëm, shkodrani ka lënë gjithçka të hapur, për pista brenda dhe jashtë kampionatit shqiptar. “Për destinacionin e mundshëm nuk mund të them ndonjë gjë konkrete për momentin. Megjithatë synimi dhe qëllimi kryesor mbetet alternative për jashtë Shqipërie. Por kjo mbetet për t’u parë”, ka thënë shumë shkurt në mbyllje sulmuesi i Vllaznisë Xhevahir Sukaj, duke mos përjashtuar një mundësi reale të qëndrimit të tij, edhe në kampionatin shqiptar, por duke hedhur poshtë në mënyrë kategorike qëndrimin tek Vllaznia. Ai ka shënuar deri tani 8 tetë në këtë sezon, duke qenë më i miri i linjës së parë të sulmit së bashku me Roland Dervishin e Shkumbinit. Sukaj duhet të paguajë një shumë prej 50 mijë eurosh klubit të futbollit “Vllaznia sh.a”, për t’u larguar në janar, që mesa duket sulmuesi në fjalë, është i gatshëm për një gjë të tillë. Për momentin Flamurtari mund të të jetë një pistë e mirë për sulmuesin e grumbulluar së fundmi me ekipin kombëtar, pasi tekniku Edmond Lutaj e parapëlqen jashtë mase, pavarsisht se vlonjatët nuk duan të futen në punët e shkodranë. Por “eksodi” i muajit janar tek Vllaznia nuk do të ndalet me kaq. Me “valixhe” në dorë është edhe sulmuesi tjetër, njëkohësisht i ekipit tonë “Shpresa”, Armando Vajushi. I kontaktuar, pasditen e djeshme, përmes telefonit, pasi gjendet i grumbulluar me ekipin “Shpresa”, për sfidën e sotme me Portugalinë, shkodrani tjetër i sulmit të Vllaznisë, duket se është në të njëjtën linjë shokun e tij, Sukajn, sa i takon largimit në janar. “Për Vllazninë po mendoj deri në janar, të jap gjithçka, pastaj do të flasim ndryshe. Kam oferta shumë të mira nga Këlni dhe Thuni, të cilat mbeten alternativat më të mundshme për në janar. Kështu që thuajse 99% , pikërisht në janar do të largohem nga Vllaznia dhe kjo nuk ka diskutime”, ka thënë në fillim Vajushi. Ai ka bërë të qartë se askush nuk mund ta pengojë këtë futbollist për t’u larguar nga kuqeblutë, kur të paguajë shumën prej 100 mijë eurosh, që e ka të cituar në kontratë. “Nuk mund të më pengojë askush për një gjë të tillë. Unë i paguaj Vllaznisë 100 mijë dhe largohem dhe kështu marr kartonin dhe kam të drejtën time të zgjedh ekipin me të cilin do të luaj në janar e mbrapa. Megjithatë të presim janarin për të folur më konkretisht”, ka thënë Armando Vajushi, një ndër futbollistët e persketivës në futbollin shqiptar. Ai ka hedhur poshtë mundësinë për të kaluar në radhët e grekëve të PAS Janinës, pasi Thuni dhe Këlni ofron shumë më shumë se skuadra e shtetit fqinj, nga ana financiare, por edhe për rritjen e cilësisë së tij, si futbollist, kampionati gjerman dhe ai zvicerian, janë më lart se kampionati grek. Kështu Vllaznia duhet të përgatitet për “eksod” në janar.
Mejdan Zhivani