Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj vazhdon të jetë protagonist me skuadrën e tij të Sepahanit. Ai ka luajtur mbrëmë për këtë skuadër në ndeshjen e Ligës së Kampioneve të Azisë kur Sepahan ka pritur në fushën e tij kampionen e Katarit- Lekhëiya. Skuadra e Sukajt ka fituar 2-1 dhe ndonëse ai vetë nuk ka shënuar, sërish ka bërë një ndeshje mjaft të mirë. Ka goditur një shtyllë gjatë kësaj ndeshje dhe po ashtu ka shënuar edhe një gol mëse të rregullt sipas vetë atij por të anulluar nga gjyqtari pa të drejtë. “Jam aktivizuar në pjesën e dytë dhe mendoj se jam paraqitur mirë. Godita shtyllën dhe në një moment tjetër, gjyqtari më anulloi një gol shumë të bukur gjoja për poziicion jashtë loje por në fakt pozicioni im siç e dhanë edhe mediat këtu, ishte mëse i rregullt”- ka thënë Xhevoja për gazetën online www.shkodrasport.com.
Pas kësaj fitoreje, skuadra e Sukajt- Sepahan është në vendin e parë në grup me 7 pikë duke qenë pretendentja kryesore jo vetëm për kalimin në çerekfinale të këtij kompeticioni por edhe për fitoren e tij. Fakti që Sukaj po luan me këtë skuadër tregon se ai është në rrugën e duhur . Sigurisht të jesh pjesë e kësaj skuadre nuk është pak sepse është ndër më të mirat e Azisë dhe Sukaj po tregon vlerat e tij më të mira me këtë skuadër megjithëse deri tani ka qenë i pafat për të shënuar por me siguri kjo ka për të ndodhur që në ndeshjen e ardhshme.
www.shkodrasport.com
Xhevahir Sukaj ne ndeshje me ekipin e Sepahanit