Për ndeshjen e rradhës, atë që do luhet të premten pasdite në Pogradec, stafi drejtues i Vllaznisë nuk do ketë sërish në dispozicion mesfushorin malazez Nenad Brnoviç. Lajmi konfirmohet nga pjestarë të stafit mjekësor të skuadrës shkodrane. Sipas tyre, numri 10 i kuqebluve ka pësuar një tërheqje muskulare në pragndeshjen e së shtuëns të kaluar me Flamurtarin. Ka ndodhur pikërisht kështu në nxemjen e kësaj ndeshje teksa ai e detyroi trajnerin Vata pastaj ta zëvendësonte me Morenon. Malazezi 31 vjeçar nuk do të rikuperohet për takimin e rradhës dhe prandaj do të mungojë sërish edhe në Pogradec. Brnoviç është lojtari më i shtrenjtë në klubin shkodran teksa vetëm për periudhën janar-maj përfiton plot 22 mijë euro. Ai sigurisht që dallohet për nivelin e lartë në lojën e tij ngaqë ka luajtur më parë me Partizanin e Beogradit dhe kombëtaren e Serbisë dhe Malit të Zi, por dëmtimet e shumta po ndikojnë në paraqitjet e tij duke mos e lënë të shfaqë vlerat e tij të vërteta. Organizatori kuqeblu ende nuk e ka mbyllur një ndeshje të plotë me 90 minuta. Nga ana tjetër, në dyshim për ndeshjen e Pogradecit është edhe malazezi tjetër, mbrojtësi Popoviç. Edhe ai mungoi ndaj Flamurtarit megjithatë është në fazën e rikuperimit dhe ndoshta mund të jetë i gatshëm për të luajtur këtë javë.

www.shkodrasport.com