Opinion nga Bujar QAMILI


Pavarësisht problemeve që po has Vllaznia në këtë kampionat, unë vazhdoj ta ndjek gjithnjë atë. Jo vetëm në ndeshjet që luan në Shkodër por shpeshherë edhe jashtë. E bëj këtë sepse është skuadra jonë e zemrës, është skuadra që më jep kënaqësi të veçantë. Por duhet ta pranojmë se Vllaznia nuk kënaq askënd. Pavarësisht barazimit me Tiranën apo fitores së fundit me Flamurtarin, njerëzit në stadium nuk kanë ndjerë shumë kënaqësi. Pa harruar faktin që tifozët janë rralluar shumë. Ata nuk mund ta pranojnë dot Vllazninë në vendin e gjashtë të renditjes. Nuk është normale për një qytet që ka mbushur gjithë Shqipërinë me lojtarët e saj. Ka lojtarë tek Tirana, Flamurtari, Teuta, Laçi pa harruar ato shumë lojtarë që janë në Lezhë, Gjirokastër apo ekipe të tjera të kategorisë së parë. Nëse Vllaznia sot është e gjashta, unë fajësoj jo pak edhe ndryshimet në krye të klubit. Në rolin e sportdashësit e cilësoj të gabuar kalimin e drejtimit të klubit nga një biznesmen siç ishte Valter Fushaj tek Bashkia. Kur ishte presidenti, ai ishte pranë skuadrës, kërkonte llogari në momentin e duhur ashtu siç dinte të ndërhynte aty ku duhej me premio a gjëra të tilla për ta motivuar ekipin. Kryetari i Bashkisë nuk i bën këto punë. Ai ka edhe shumë detyra të tjera për të bërë. Prandaj dhe ka rënë pak edhe përgjegjësia e lojtarëve. Sa i takon përbërjes së skuadrës aktuale, mendoj se disa nga të huajt që kanë ardhur nuk kanë ndonjë nivel kushedi se çfarë. Për aq nivel, më mirë do kishte qenë me mbajt shkodranë. Oshilacionet e skuadrës në këtë sezon kanë qenë të mëdha megjithatë unë kam sërish besim se mund të shkojë në vendin e katërt. Kam pak frikë nga dy ndeshjet e rradhës që kemi jashtë, në Pogradec dhe Ballsh por nëse skuadra tregon shpirtin e garës në fushë, edhe mund t’ia dalë. Unë besoj se Vllaznia do jetë sërish në Kupat e Europës edhe këtë sezon sepse i takon të jetë.