Vllaznia u-17 në futboll arriti të fitonte dje trofeun e dytë të sezonit. Shkodranët e vegjël mundën në finalen e kupës së Shqipërisë, ekipin e Durrësi 04. Ndeshje ku kuqeblutë triumfuan pas goditjes së saktë të penalltive, ku koha e rregullt kishte përfunduar në shifrat 1-1. Ky ishte trofeu i dytë për ekipin u-17 në këtë sezon.
Kjo pasi para 1 jave ata u shpallën kampionë edhe të vendit për këtë grupmoshë pasi mundën skuadrën e Shënkollit. Ndeshje ku treguan dominancë totale duke triumfuar në shifrat 5-0. Finalja e djeshme përballë durrsakëve mbylli një sezon të shkëlqyer për ekipin u-17. Por nëse flitet shumë për elementët e akademisë Vllaznia, pak kush e di që një meritë të veçantë kanë edhe trajnerët.
Dyshja Edmond Doçi dhe Denis Zmijani kanë qenë ata që kanë udhëhequr këtë grup të mrekullueshëm lojtarësh. Të dy ish-futbollistët e Vllaznisë, aktualisht në rolin e trajnerit dhe zëvendës trajnerit tek 17-vjeçarët, kanë dhënë shumë nga eksperiencat e tyre të shkuara si futbollistë tek djemtë e rinj. E patjetër trajneri kryesor, Edmond Doçi, që me Vllazninë ka fituar si kampionat e po ashtu kupë.
Ish-mesfushori tashmë si trajner po fiton edhe trofetë e parë. Duke ripërsëritur sukseset që ka pasur në të shkuarën si futbollist. Patjetër që merita më e madhe për këta trajnerë është që të dërgojnë sa më shumë elementë në skuadrën e parë. Por edhe fitimi i trofeve në fund të sezonit, jo vetëm që të jep kënaqësinë, por edhe shpërblen mundin dhe sakrificën e gjithë sezonit për futbollistët dhe trajnerët.
Endri ÇINARI