Futbollistët shkodranë janë të shpërndarë në mbarë botën dhe përjashtim nuk bën as Italia. Një vend shumë afër trojeve tona dhe që prej vitesh mirëpret emigrantët nga vendi ynë.

Disa futbollistët me origjinë nga Shkodra duket se po hedhin hapat e parë në futbollin e madh dhe po bëjnë emër në futbollin e apenineve. Nga moshat 17-vjeçare deri në atë 21-vjeçare ka disa lojtarë që po spikasin me skuadra të njohura në Itali.

Duke filluar nga porta, Marco Molla prej disa sezonesh është pjesë e Bolognas. Madje gardiani është grumbulluar edhe nga kombëtarja shqiptare duke i dhënë besimin për prespektivën në të ardhmen.

Po ashtu Enis Ujka është një portier me origjinë nga Shkodra që është pjesë e Novaras në Itali. Elio Zalli, mbrojtësi 18-vjeçar luan prej dy sezonesh tek Sassuolo. Së bashku me Daniel Hysajn e Napolit ata kanë qenë ndër pikat e forta të kombëtares u-19 të Shqipërisë.

Kevin Haveri që militon në rradhët e Rimminit dhe ka spikatur këtë sezon si mbrojtës i majtë është një tjetër shkodran që po bën mirë në vendin fqinj. Gjithashtu edhe Sergio Kalaj tek Frosinone apo edhe Erdis Kraja që luan si mesfushor tek Palermo janë pjesë e vazhdueshme e kombëtares sonë u-21. Elmando Gjini është një tjetër djalosh 19-vjeçar që aktivizohet tek Genoa dhe shihet si një element shumë i rëndësishëm në të ardhmen për klubin ligur.

Andrea Filipi dhe Aristid Kolaj janë një tjetër dyshe që luajnë së bashku tek Alessandria. Gjithë këta emra që ende janë në një moshë të re dhe që pritet të jenë të rëndësishëm në futboll në të ardhmen. Një koloni shkodrane në Itali që tregon edhe njëherë për traditën e futbollit të qytetit tonë që trashëgohet brez pas brezi.

Endri ÇINARI