Pritej spektakël dhe ashtu ndodhi. Alban Bermeta, boksieri i njohur shqiptar fitoi një tjetër përballje në boksin profesionist dhe këtë herë ndaj një kundërshtari kampion në Afrikë. Dueli i grushteve në Fier u mbyll në raundin e gjashtë me pikë, duke bërë që ndaj Henriques Landos, Bermeta të siguronte fitoren e 14 në boksin profesionist, 11 prej të cilëve me nokaut.

“Ishte kundërshtar shumë i fortë, i 110 në botë dhe i pari në Afrikë. Gjithsesi unë isha përgatitur për këtë ndeshje dhe falë Zotit ia arrita të fitoj. Ishalla eci sa më lart në ndeshjet e ardhshme me kundërshtarë më të fortë,”-u shpreh Alban Bërmeta, boksier.

Boksieri nga Angola provoi gjatë gjithë ndeshjes të provokonte Bermetën, duke bërë në ring sjellje të çuditshme.

“Ajo është mënyra e tij e boksimit, e sjelljes. Unë bëj sjelljen time dhe kam hyrë për të treguar boks aty. Normalisht edhe spektakël, por spektakël me grushte sepse nuk jemi balerinë. Nuk ka asnjë problem: ajo është mënyra e tij, ndërsa unë kam timen,”-tha Alban Bermeta, boksier.

Kjo fitore ka qene shume e rendesishme per kete boksier sepse tashme ai eshte ngjitur ne nje vend shume komod, duke qene i pozicionuar ne te 37-tin vend ne Bote.

Në natën e spektaklit në Fier, me fitore ia doli edhe Xhulio Vrenozi në peshën super të lehtë, duke mposhtur në raundin e dytë me nokaut kundërshtarin nga Bosnja Sinica Gambelic. Para publikut vendas shkëlqyer edhe dy fierakët Aleksandër Kallashi dhe David Ferko, duke siguruar fitore ndaj kundërshtarëve respektivë.