Skënderbeu po bëhet gati për të pritur grupin e plotë me qëllim të nisjes së përgatitjeve për sezonin e ri dhe shpresën se ky sezon do të jetë shumë herë më ndryshe nga ai i kaluari. Ndërsa nga ana tjetër vetë sulmuesi ganez, Ngisah Bismark, pret me padurim nisjen e kampionatit dhe bashkëpunimin me patriotin e tij në majë të sulmit.
Pas paraqitjes pozitive dhe përshtypjeve të mira që la në ndeshjen miqësore përballë Gjilanit, sulmuesi bardhekuq është gati për të marrë rolin e protagonistit te Skënderbeu. I aftë në lëvizjet me top dhe shpejtësinë që e karakterizon, duket se korçarët kanë gjetur partnerin e duhur për Mensah.
Të dy janë nga Gana dhe golat tashmë priten pikërisht nga këta sulmues. “Jam në javën time të parë këtu dhe mund të them se përshtatja ka ecur mjaft mirë. Jam i lumtur që kam bërë këtë zgjedhje. Trajneri është një person mjaft pozitiv, që artin e komunikimit me lojtarët e njeh mjaft mirë dhe di çfarë u kërkon. Po ashtu edhe shokët e ekipit kanë një frymë pozitive në grup, aq sa na kanë bërë të jemi pjesë e skuadrës menjëherë.
Tani shpresoj të kap formën time optimale, prandaj po punoj fort, por nga ana tjetër pres Mensah të vijë që të shohim se çfarë mund të bëjmë bashkë në sulm. Më kanë folur shumë për cilësitë e tij, po ashtu kam parë edhe video. Kam përshtypjen që do të mund të bëjmë shumë gjëra pozitive”, ka thënë Bismark për “Panorama Sport”. Kujtojmë se Mensah dhe Randi ende nuk janë bashkuar me ekipin për shkak të problemeve me vizat.