Partizani viziton të mërkurën Shkodrën për tu përballur me Vllazninë në javën e 12-të të Superligës. Të kuqtë kanë rikuperuar shumë në javët e fundit në rezultate, por edhe në renditjen tabelare. Tashmë 16 herë kampionët e vendit gëzojnë shëndet të plotë dhe në “Loro Boriçi” do kërkojnë të vijojnë formën e mirë.

Por edhe “demat” kanë problemet e tyre pavarësisht disa fitoreve. Kështu ekipi i Dajes ndër ekipet e 6 vendeve të para ka sulmin më të dobët. Kryeqytetasit kanë shënuar vetëm 12 gola gjatë sezonit deri më tani duke qenë ndër ekipet më të dobëta në këtë aspekt në kampionat.

Gjithashtu edhe sulmuesi kryesor i të kuqve, Stenio Junior nuk po gëzon formën e tij më të mirë. Sulmuesi brazilian ka shënuar vetëm 3 gola këtë edicion dhe të gjithë nga pika e bardhë e 11-metërshit. 30-vjeçari nuk ka arritur të gjejë rrjetën asnjëherë nëpërmjet aksionit në kampionat.

Pavarësisht se Junior nuk ka shënuar në vazhdimësi, ai mbetet një lojar i rrezikshëm për çdo mbrojtje kundërshtare. Prandaj edhe trajneri Daja i beson çdo herë ish-sulmuesit të Shkëndijës. Edhe në takimin e së mërkurës, Stenio Junior pritet të jetë titullar kundër Vllaznisë.
Endri ÇINARI