Përgatitjet dimërore të Vllaznisë përpara fillimit të kampionatit këtë fundjavë, vijuan me ndeshjen miqësore kundër Tërbunit. Shkodranët fituan me shifrat 4-1 përballë pukjanëve. Një miqësore e një niveli të kënaqshëm nga ana e të dy ekipeve. Tek kuqeblutë u aktivizuan thuajse gjithë futbollistët.

Vetëm 3 nga pjesëtarët e skuadrës shkodrane nuk zbritën në fushë. Kështu sulmuesi Ante Aralica dhe mesfushori Fjoart Jonuzi nuk ishin as në stolin e rezervave. Të dy futbollistët duket se kanë pasur probleme fizike dhe janë preferuar që të lihen totalisht pushim.

Ndërsa dëmtimin e para pak kohësh, Fahuredin Djurdjeviç duket se ende nuk e ka kaluar 100 %. Sulmuesi nga Maqedonia e Veriut ishte pjesë e skuadrës në miqësoren e djeshme, por nuk zbriti asnjë minutë në fushë. Ai madje zhvilloi vrapime i diferencuar nga pjesa tjetër e skuadrës.

Trajneri Brdariç ka vendosur të mos e rrezikonte sulmuesin, duke parë që edhe ndeshja e parë kundër Tiranës është në prag. Dhe patjetër sa më shumë futbollistë të jenë të gatshëm për një sfidë kaq të fortë aq më të shumta janë opsionet dhe zgjedhjet për trajnerin gjerman.
Endri ÇINARI