Adeleke Akiniemi nuk do të jetë më futbollist i Laçit. Sulmuesi i cili shënoi sot dy gola për të ndihmuar në përmbysjen e kurbinasve përballë Teutës në fitoren 4-3, do të udhëtojë drejt Çekisë për t’iu bashkuar në orët e ardhshme skuadrës së re.

Klubi kurbinas ka bërë të ditur se sulmuesi do të bashkohet me ekipin e Karvina në kampionatin e Republikës Çeke, për të vazhduar atje karrierën e tij.

Vetë futbollisti ka përshëndetur sot pas ndeshjes shokët e skuadrës, teksa niset për një etapë tjetër të karrierës së tij.

Adeleke erdhi në janarin e vitit të kaluar te Laçi dhe në këtë sezon ishte titullar thuajse në të gjithë sfidat e kurbinasve, duke shënuar 6 gola në 19 ndeshjet e luajtura deri tani.