Albi Shpuza është rikthyer sërish tek Vllaznia. Sulmuesi 21-vjeçar shkodran, i cili para një viti u shpall kampion me Vllaznia U-21, ka marrë një telefonatë nga ana e drejtuesve shkodranë për të dalë në stërvitje me ekipin e parë.

Shpuza ka vijuar në dy ditët e fundit stërvitjen me ekipin e parë të Vllaznisë, duke qenë nën urdhrat e stafit teknik, me në krye trajnerin Thomas Brdariç. Ende nuk është e qartë se cila do të jetë e ardhmja e këtij futbollisti, i cili për momentin është në provë tek Vllaznia, por shanset janë që sulmuesi i talentuar të jetë pjesë e ekipit për sezonin e ri.

Pretendimet e Shpuzës janë që të jetë pjesë e ekipit të Vllaznisë, duke qenë edhe se pak kohë më parë ka qenë edhe kontigjent i Kombëtares U-19 të vendit tonë. Gjithsesi, në këtë rikthim të tij te Vllaznia, sigurisht që Albi Shpuzës i del për detyrë të bindë drejtuesit kuqeblu për vlerat e tij, me idenë që më pas të ulen në bisedime për firmosjen e një kontrate.

Gjëja e parë që duhet të bëjë sulmuesi i ri është të bindë trajnerin Brdariç për aftësitë e tij. Tekniku i Vllaznisë njihet për vlerat e tij dhe për faktin që i pëlqen të punojë me elementë të përspektivës dhe mbetet për t’u parë nëse kjo gjë do të tentohet të bëhet prej tij në sezonin e ri me kuqeblutë.
Maringlen ZHIVANI