Sulmuesi shkodran, Belajdi Pusi, i ka shpallur besnikëri Skënderbeut. Edhe pse skuadra ra në Kategorinë e Parë, ai ka vendosur që të rinovojë. Kontrata e tij po shkon drejt fundit, por shkodrani ka menduar që ta zgjasë dhe të kontribuojë për rikthimin e bardhekuqve në elitë.

Në fakt, ka qenë manovra e presidentit Ardian Takaj për ta blinduar 24-vjeçarin. Për ta joshur, i ka ofruar peshën e ofensivës së 8-herë kampionëve të vendit.

Dëshira e palëve ka qenë prej kohësh, teksa pritet që Pusi në njërën anë dhe Takaj në krahun tjetër, të takohen për të vendosur rinovimin e kontratës për një vit dhe për të specifikuar kushtet e saj. Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga vetë shkodrani para pak ditësh për “Panorama Sport”. Ai sqaroi se kontrata i mbaron për 6-muaj, por është gati që të nënshkruajë.

Në sezonin e ri, Belajdi Pusi pritet të kthehet në pikën e referimit për sulmin e Skënderbeut, si një ndër futbollistët kyç të këtij reparti.
Maringlen ZHIVANI