Sezoni 2019-2020 mund të jetë një nga më unikalët sa i përket problematikës që shfaqin klubet shqiptare në prag të fillimit të tij më 24 gusht. Me Skënderbeun të dënuar nga UEFA për trukime, duke shtuar këtu edhe katër klube që nuk licencohen dot për Kupat e Europës për shkak të problemeve financiare, gara që pritet të nisë duket se do të jetë sërish fiktive, pikërisht siç rezultoi për zonën e UEFA-s në kampionatin e fundit.
FSHF ka vendosur si ultimatum për plotësimin e kriterit financiar për katër klube datën 31 korrik. Tirana, Vllaznia, Flamurtari dhe Luftëtari kanë miliarda lekë borxhe në tatime, por mbi të gjitha edhe rroga të pashlyera nga sezoni i fundit, por jo vetëm.
Mbetet për t’u parë nëse kërcënimi i institucionit të futbollit për licencimin e klubeve do të jetë serioz, pasi edhe në të kaluarën, ka pasur ultimatume, por asnjëherë nuk është marrë ndonjë masë konkrete.
Nga 10 klube në Superiore, sezoni i ri do të nisë me vetëm pesë prej tyre që plotësojnë kriterin financiar: Partizani, Kukësi, Teuta, Laçi dhe Bylisi. Një situatë skandaloze që kërkon një dorë të hekurt, së pari nga FSHF-ja si organizatore e kampionatit.