Shkurti ka qenë një muaj vërtetë i ngarkuar për mesfushorin malazez të Vllaznisë Ivan Deliç. Më 3 shkurt ka patur ceremoninë e dasmës së tij. Më 14 shkurt, festa e të dashuruarve- Shën Valentin ndërsa sot, ka patur ditëlindjen. Ka mbushur 27 vjeç dhe me këtë rast përpara stërvitjes ka qerasur të gjithë shokët e ekipit dhe stafin drejtues. Ditë të ngjeshura për mesfushorin malazez në mes gëzimeve por edhe problemeve me dëmtimet e tij. Ai siç dihet u pat dëmtuar në një ndeshje miqësore të Vllaznisë në Mal të Zi dhe që atëherë nuk ka qenë në formën e tij më të mirë. Edhe në ndeshjen e fundit në Korçë ai u aktivizua disa minuta në pjesën e dytë por pa arritur dot të japë më të mirën e tij. Për këtë arsye, edhe në ndeshjen e nesërme me Kukësin, Deliç do ta nisë nga stoli. Tre gëzimet që ai ka kaluar ditët e fundit duket se e kanë “dehur” mesfushorin malazez i cili pritet të rikthehet më në formë se kurrë duke filluar nga java e ardhshme. Për këtë periudhë ka qenë disi i justifikuar nisur nga gëzimet që ka patur. Me rastin e ditëlindjes së tij, gazeta online www.shkodrasport.com gjen rastin ta urojë: “Edhe 100 të tjera Ivan”!
www.shkodrasport.com