Pas tre sezoneve të kaluara në Bundesligën gjermane me ekipin Buhl Bisons, volejbollisti shkodran Anton Qafarena nga sot ka nisur një aventurë të re me një tjetër ekip.

“SHkodra Sport” meson se këtë herë bëhet fjalë për FC Barkom, skuadrën kampione në fuqi të Ukrainës. Kontaktet me të kishin nisur prej kohësh dhe janë konkretizuar ditën e sotme kur 23 vjeçari shkodran ka hedhur firmë në kontratë.

Qafarena ka mbërritur mbrëmë në qytetin Kazhany të Ukrainës, qytet i cili ka pjesë të tij ekipin kampion të volejbollit dhe sot ai ka firmosur kontratën me drejtuesit e klubit.

Një arsye e fortë pse ai zgjodhi këtë ofertë në mes të disa që ka patur në adresë të tij, ka qenë edhe ana financiare shumë e mirë e kontratës që i kanë ofruar ukrainasit. Por jo vetëm kaq. Një tjetër arsye që e ka shtyrë të bëjë këtë zgjedhje është fakti që FC Barkom do të luajë në Kupat e Europë dhe ky është një motiv më shumë për të, për të treguar vlerat e tij.

Qafarena u shpall tre vite më parë kampion me Vllazninë dhe më pas firmosi në Gjermani për Buhl Bisons me të cilin luajti për tre sezone, duke arritur madje deri në finalen e Kupës së Gjermanisë. Kjo përvoja e fundit e ka ndihmuar shumë lojtarin e kombëtares shqiptare për t’u rritur nga ana profesionale dhe tashmë ai mund të luajë me sukses në çdo kampionat.

Volejbollisti shkodran do të mundohet që me FC Barkom të tregojë vlerat më të mira të tij por edhe të vendit nga vjen, për të treguar se sportistët shqiptarë janë të denjë për të luajtur të barabartë me të gjithë të tjerët./SHKODRA-SPORT.COM/