Goli sigurisht që nuk ka qenë kryefjala e Superligës që uli siparin ditën e sotme duke dhënë verditktet finale. Të gjitha ekipet kanë vuajtur për të gjetur një lojtar që garanton 20-25 gola në sezon.

Jo më kot edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit u shpall Reginaldo i Kukësit me 13 gola. Shumë pak duke krahasuar parardhësit e tij Pejic apo Salihi. Duke u ndalur te ata që kanë shënuar këtë sezon patjetër që duhet të përmendim futbollistët shkodranë.

Në sezonin 2018-2019 të Superligës lojtarët me origjinë nga qytetit verior shënuan plot 44 gola. Një shifër e lartë kjo e ardhur nga futbollistët shkodranë. Por nga kush u shënuan këto gola?

Listën e kryeson Edon Hasani i Tiranes me 12 rrjeta. Pas tij një tjetër lider i Laçit si Ndriçim Shtubina që ka shënuar 10 gola.

Listën e pasurojnë dyshja e Partizanit, Erald Çinari dhe Rubin Hebaj. Numri 7-të i të kuqve që realizoi edhe sot një super gol kundër Luftëtarit e ka mbyllur kampionatin në kuotën e 6 golave ndërsa kolegu i tij Hebaj ka gjetur 4 herë rrjetën këtë vit.

Sigurisht që nuk mund të mungonte në këtë listë një emër si Xhevahir Sukaj. Sulmuesi i Flamurtarit realizoi 4 gola këtë kampionat.

Për të zgjeruara akoma më tepër gjeografinë e golit të shkodranëve kanë menduar edhe Ersil Ymeraj që ka shënuar 4 gola për Kastriotin, Abdurrahman Fangaj 3 gola me Laçin dhe Uendi Vecaj që ka shënuar 1 herë për Teuten.

Vllaznia nuk ka qenë pjesë e kampionatit këtë sezon por të gjithë ish-lojtarët e saj kanë qenë ndër protagonistët kryesorë të kampionatit.

Duket se goli në Superligë është “pronë” e shkodranëve. Në vitet e kaluara kishim Sinanin apo Salihin ndërsa tani kemi “bomberat” e tjer që po e vazhdojnë më së miri traditën e Shkodrës pavarësisht se jo me fanellën që ata duan më tepër, atë të Vllaznisë. /Endri Çinari-newsport!