Vllaznia mori barazimin e rradhës në kampionat, në ndeshjen e kësaj jave. Kuqeblutë u ndalën në barazimin 1-1 në “Air Albania”, ndaj Partizanit. Ish-futbollisti, Julian Ahmataj, tashmë trajner futbolli, ka qenë i ftuar në “Rubrika Sportive” në “RTSH” dhe gjatë emisionit analizoi ndeshjen Partizani-Vllaznia, teksa tha se barazimi ishte rezultati më i drejtë i kësaj ndeshje.

“Këtë ndeshje e pashë në stadium dhe normalisht Vllaznia kishte përgatitur një ndeshje të mirë. Kishte bërë ndryshime taktike, nga katër, ishte me tre qendërmbrojtësa.

Kishte një qarkullim topi dhe një dalje të qartë dhe ajo i dha frytet e saj, ku doli shumë herë para portës Partizanit, por nuk finalizoi mirë. Pra, finalizimi erdhi nga një 11-metërsh.

Partizani ishte i papërgatitur nga ky ndryshim taktik, gjë që e pranoi edhe trajneri Mehmeti pas ndeshjes dhe normalisht u gjend i befasuar. Vllaznia ishte prezente në fushën e lojës, ndërsa Partizani nuk po e gjente veten.

Në pjesën e dytë, duke iu referuar edhe daljes me karton të kuq, pastaj Partizani u rikthye në lojë. Forcat nuk ishin të barabarta dhe Partizani ushtroi presion për të shkuar tek goli.

Partizani mund ta kishte fituar këtë ndeshje. Disa herë, Vllaznia shfaqej e rrezikshme gjatë lojës.

Mund të themi se ishte një ndeshje me dy tablo, ku një pjesë e parë ishte për Vllazninë dhe një pjesë e dytë për Partizanin. Barazimi mendoj se ishte një rezultat i drejtë”,-tha në prononcimin e tij, trajneri i futbollit, Julian Ahmataj.
Maringlen ZHIVANI