Gjatë kësaj ndalese për shkak të Kupës së Botës, ku ka sjellë jo pak surpriza deri më tani, Napoli, ekipi më në formë në Itali, që kryeson edhe kampionatin dhe ka rregjistruar 12-fitore rradhazi mes Seria A dhe Champions League, kërkon të gjejë vazhdimësinë edhe në pjesën e mbetur të ndeshjeve. Për ta bërë një gjë të tillë, napolitanët u nisën drejt Turqisë për të zhvilluar fazën përgatitore.

Për të kompensuar mungesën e disa futbollistëve, Luçiano Spalletti ka thirrur edhe disa lojtarë nga skuadra e Primaverës, përfshirë edhe mbrojtësin shkodran Daniel Hysaj, duke e suprizuar në një farë mënyre edhe vetë atë. Realisht, kjo ka qenë një mundësi e shkëlqyer për “xhevahirin” e ekipit Primavera të Napolit, i cili ka pasur mundësinë të shfaqë vlerat e tij më të mira në këtë fazë përgatitore në Turqi.

Futbollisti shkodran Daniel Hysaj ka debutuar me ekipin e parë të Napolit në ndeshjen miqësore të zhvilluar ndaj Antaliasporit, e fituar nga klubi italian me rezultatin 2-3. Në këtë ndeshje, mbrojtësi zhvilloi një pjesë të dytë të mirë, duke qenë se ishte edhe ndeshja debutuese me ekipin e parë të Napolit, teksa atij iu dha besimi maksimal nga trajneri Luçiano Spalletti.

Megjithatë, kush është Daniel Hysaj? Ai është kushëriri i Elseid Hysajt, futbollistit të Kombëtares së Shqipërisë, që aktualisht luan te Lazio, por ka një të shkuar të lidhur me Napolin, pasi luajti nga viti 2015 deri në 2021. Daniel Hysaj, i lindur në vitin 2004 është një element kryesor për Kombëtaret e moshave kuqezi, ku tashmë është thirrur edhe me Shqipërinë U-21, që drejtohet nga Alban Bushi.

Mbrojtësi shkodran është “pikasur” nga Spalleti dhe deri tani ka luajtur tetë ndeshje në kampionat dhe një në “UEFA Youth League” me ekipin e Primaverës së Napolit. Danieli e nisi karrierën te ekipi i ASD Pelegrino Sport Altamura në vitin 2009 dhe qëndroi deri në vitin 2018. Më pas, ai kaloi me ekipin e parë profesionist të Materës dhe pas një sezoni kaloi te të rinjtë e Barit, klub në pronësi të presidentit të Napolit, De Laurentis. Edhe në skuadrën e Barit, mbrojtësi shkodran avancoi shumë shpejt përpara dhe u transferua në ekipin e Napolit U-17, ku pas paraqitjeve të mira, kaloi në ekipin U-19.

Pas një sezoni në huazim te Bari, ai arriti të tregojë cilësitë e tij, duke tërhequr edhe vëmendjen e specialistëve dhe trajnerëve të ndryshëm italian. Aktualisht, skuadra e Napolit vazhdon të kërkojë futbollistë të perspektivës për të ardhmen, kryesisht në repartin e mbrojtjes dhe pikërisht Daniel Hysaj mund të bëjë diferencën dhe të arrijë në ekipin A, në rast të ndonjë dëmtimi të mundshëm për disa futbollistë të formacionit.

Daniel Hysaj, i cili luan si mbrojtës, është shumë i saktë në fazën e kontrollit të topit dhe me aftësi të shkëlqyera mbrojtëse, që mesa duket do të përmirësohen akoma më tepër nën drejtimin e trajnerit të Napolit, Luçiano Spalletti.
Maringlen ZHIVANI