Sulmuesi më i ri i Vllaznisë, Bekim Balaj ka dhënë një intervistë ekskluzive në emisionin “Ti Bo Gol” në Oversport dhe Tibo. Bomberi kuqeblu ka treguar se rikthimi te Vllaznia ka qenë një zgjedhje zemre dhe se synon që të rikthejë në Shkodër titullin që mungon prej shumë kohësh.

“Të them të drejtën, kishim kohë që ishim në kontakte me Vllazninë. I njoh drejtuesit dhe gjithmonë më kanë ftuar të kthehem në Shkodër. Mendoj që është momenti i duhur. Gjej një skuadër shumë të mirë dhe u poqën kushtet që të kthehesha në Shkodër.

Ofertat nga Partizani dhe Tirana? Nuk ia vlen të diskutohet tani, jam lojtar i Vllaznisë dhe shumë i lumtur për këtë zgjedhje.

Sa gola do shënoni? Nuk jap dot shifër, detyra ime është të jap maksimumin dhe të ndihmoj skuadrën. Sigurisht që jam këtu për të shënuar dhe shpresoj që të shënoj sa më shumë për të ndihmuar skuadrën të arrij objektivat.

Një trofe në Shkodër? Ardhjen time në Shkodër e lidh me fitimin e titullit, që ka shumë kohë që pritet. Vllaznia ka fituar 2 herë Kupën vitet e fundit. Shpresoj që ta bëjmë realitet ëndrrën e të gjithë shkodranëve dhe të bëjmë realitet fitimin e titullit kampion.

Kur zbret në fushë? Jam stërvitur individualisht për të ruajtur gjendjen dhe kam 2 ditë stërvitje me skuadrën. Në fundjavë shpresoj që të jem gati, pastaj vendos trajneri për aktivizimin.

Kombëtarja? Momentalisht jam i përqendruar te Vllaznia dhe shpresoj që të bëj mirë këtu. Kombëtarja është një temë tjetër.

Numri te Vllaznia? Bëra dy 9 bashkë, e kam mbajtur edhe më parë këtë numër.

Rivaliteti me Skukën dhe Xhixhën? Janë dy djem të rinj që kanë bërë shumë mirë këtë sezon, i kam parë edhe në ekipin kombëtar. U uroj shumë suksese dhe ecuria e mirë do ti ndihmojë shumë në karrierë. Unë kam rivalitet vetëm me veten dhe dua që të bëj sa më mirë te Vllaznia.

Një mesazh për tifozët? Tifozët shkodranë janë gjithmonë në përkrahje të ekipit. Tifozët janë pak emocionale, por jam i sigurtë që me një ecuri të mirë do ta mbushim “Loro Boriçin” plot.

Ndeshja e fundit me Vllazninë? Ka qenë finalja e Kupës, në kampionat kam luajtur kundër Apolonisë. Kam ikur nga Vllaznia me një finale të humbur dhe shpresoj që tani të rikthejmë titullin në Shkodër.

Lojtari më i mirë? Cristiano Ronaldo, që është edhe idhulli im. Çfarë i thashë Pepes? E ngacmova, i thashë të pëlqeu goli, sepse gjatë ndeshjes kishim komunikuar.

Lojtari më i rëndësishëm që kam luajtur? Odise Roshi, pasi kam luajtur me të në disa skuadra dhe në kombëtare. Është lojtar dhe djalë fantastik, ndoshta në të ardhmen do ta marrim në Shkodër. Ai po luan në nivele të larta aktualisht, por nëse mendon që të kthehet në Superiore, Shkodra do të ishte destinacioni i tij primar.

Kombëtarja aktuale ka një grup fantastik lojtarësh dhe me ardhjen e trajnerit të ri mund të arrijmë nivele shumë të larta.

Pengu i karrierës? Lëvizja nga Kroacia në Rusi. Aty kisha oferta nga shumë klube, pasi shënova 8 gola në 10 ndeshje kampionat. Kam pasur kërkesa nga klubet e Bundesligës, por nuk u bë realitet.

SG? 17 vjeç bashkë me Roshin kemi bërë një provë te ekipi i dytë i Parisit, por nuk u bë e mundur blerja e kartonit”, ka thënë mes të tjerash Bekim Balaj.