Serxhio Kalaj duket se po djeg shumë më shpejt se sa mendohej etapat në futbollin italian duke u bërë protagonist në skenat më të rëndësishme të tij.

Mbrojtësi, i cili në edicionet e kaluara ka qenë pjesë e përfaqësueses U21 kuqezi, tashmë po luan si titullar me skuadrën e Frozinones, e cila kryeson Serinë B.

Kalaj u transferua një vit më parë te ky klub dhe të shumtë ishin ata që u shfaqën skeptikë për afrimin e futbollistit që ishte aktivizuar vetëm në kategoritë e ulëta në Itali.

Por djaloshi pak nga pak ka fituar besimin e trajnerit Fabio Groso i cili në ndeshjen e fundit të vitit 2022 dhe të parën në vitin 2023, i ka besuar një fanellë titullari.

Paraqitja e Kalajt në qendër të mbrojtjes ka qenë shumë bindëse dhe për këtë arsye, 22-vjeçari është zgjedhur edhe në ekipin e javës të përpiluar nga “Tuttomercatoweb”, për kontributin e tij në fitoren 2-1 ndaj Modenës.

“Përmban në mënyrën më të mirë pikat e referimit ofensiv të Modenës, anulon Diau duke zhvilluar një ndeshje mëse të mjaftueshme”, thekson portali i njohur italian që i ka vënë notën 6,5 qendërmbrojtësit shqiptar, një element i cili padyshim duhet mbajtur në vëmendje nga trajneri Silvinjo për ciklin e ri kuqezi.