Prej pak ditësh Alsid Tafili ka firmosur me Lirinë e Prizrenit duke lënë kësisoj Vllazninë. Mesfushori 31 vjeçar ka qenë në kontakt prej kohësh me klubin kosovar dhe duke parë që në Shkodër gjërat nuk po shkojnë ashtu si duhet, ka vendosur të kalojë tek Liria, skuadër me të cilën ka luajtur edhe disa vite më parë.

Atje do të gjejë si trajner shkodranin Samuel Nikaj dhe Tafili në një prononcim për “Shkodra Sport” është shprehur se bashkë me të do të mundohen që ta ngjisin këtë skuadër sërish në Superligë.

““Dëshira ishte që unë të qëndroja te Vllaznia, pasi isha në shtëpinë time dhe kisha vite që luaja këtu. Megjithatë, këtë vit pashë se situata nuk ishte dhe aq e këndshme për arsye zgjedhjesh e vonesash, me sa kam dëgjuar ka dhe probleme fondesh. Mu mundësua një ofertë në Kosovë. Ata më kanë vlerësuar dhe zgjodha të shkoja atje.

“Samueli (Nikaj) është shumë i respektuar në Kosovë, pasi ka arritur të çojë dy ekipe në Superligë. Mendoj se ata kanë bërë zgjedhjen e duhur, ai e njeh mirë këtë kategori. Jemi dy shkodranë, kemi punuar bashkë më parë. Mendoj se do ia kalojmë mirë andej. Janë njerëz që presin mirë dhe korrekt”- eshte shprehur ai.

Ndërkohë, i pyetur në lidhje me Vllazninë dhe si e sheh të ardhmen e saj, Tafili ndonëse tashmë një ish i kuqebluve dëshiron ta shohë mirë këtë skuadër, ndonëse gjërat nuk po lëvizin ashtu si duhet në këtë drejtim.

“Vllaznisë i uroj sukses dhe uroj që të ndërtojnë një ekip që të paktën të kapin mesin e tabelës për sezonin e ardhshëm. Vonesat ne nisjen e punes nuk jane te mira megjithate shpresoj shume qe gjerat te rregullohen dhe skuadra te marre vendin qe i takon”- ka thene Tafili.

Drejt Kosovës ndërkohë përveç Tafilit pritet të lëvizë edhe portieri Selimaj ndërkohë që ndonjë futbollist tjetër i Vllaznisë po sheh mundësinë e firmosjes me skuadra të tjera të kampionatit shqiptar.