Gjendja e skuadrës së Vllaznisë nuk është e mirë, si sa i përket asaj morale, por edhe nga ana teknike. Në këtë përballje, shkodranët do të kenë së paku tre mungesa të sigurta.

Kështu, Marko Juriç, Darko Bulatoviç dhe Liridon Latifi nuk do të jenë sërish të gatshëm për shkak dëmtimi dhe trajneri Mirel Josa duhet të bëjë llogaritë pa ta. Këto mungesa vijnë në një kohë, kur ekipi ka nevojë për ndihmën e të gjithëve që të dalë nga ky moment negativ.

Kujtojmë këtu se, ndeshja Kastrioti-Vllaznia do të luhet ditën e premte në orën 13:00, në stadiumin e Kamzës dhe do të transmetohet live në kanalet e platformës “OverSport”. Realisht, kuqeblutë, pas humbjes së pësuar të hënën me Egnatian në “Loro Boriçi”, nuk janë aty ku duhet sa i takon moralit dhe situatës psikologjike.

Megjithatë, duhet që në mënyrë urgjente, Vllaznia të bëjë kthesën e duhur që në ndeshjen e së premtes ndaj Kastriotit, që gjithsesi as ajo nga ana tjetër nuk do të jetë e lehtë.
Maringlen ZHIVANI