Merkato e verës pritet të dhurojë një duel vërtet të zjarrtë mes klubeve më të mëdha dhe më të pasura të Europës për shërbimet e talentit Jude Bellingham. Mesfushori, pjesë e Borussia Dortmund do të lëvizë nga Bundesliga sezonin e ardhshëm në kërkim të një skuadre të aftë për të luftuar për trofetë më prestigjiozë.

Aktualisht, tre klubet më të interesuara për 19-vjeçarin dhe që kanë shprehur hapur interesimin janë Liverpool, Manchester City dhe Real Madrid. Të tre këto klube janë të gatshëm të bëjnë çmenduri për britanikun. Mirëpo, duket se paksa më i avantazhuar në këtë garë është Real Madrid. Sipas asaj që raporton “Bild”, drejtuesit spanjollë së fundmi janë takuar me babain e Bellingham, Mark.

Një takim i cili është mbajtur në kryeqytetin spanjoll me babain e lojtarit që ka dëgjuar me detaje projektin e madrilenëve në lidhje me djalin e tij. Megjithatë, “Bild” këmbëngul se vetë Bellingham ende nuk e ka ndarë mendjen për të ardhmen dhe në këtë pikë, Liverpool e Manchester City marrin frymë lirisht pasi kanë ende kohë për të joshur mesfushorin.

Në këtë sezon, në 33 paraqitje me fanellën e Dortmund në të gjitha kompeticionet, Bellingham numëron 10 gola dhe gjashtë asiste.