Markus Rashford dhe Erik ten Hag kanë fituar çmimet e muajit shkurt në Premier Ligë.

Sulmuesi i Junajtidit fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të kampionatit për të dytin muaj radhazi, ndërsa 25-vjeçari shënoi 5 gola në vetëm 4 ndeshjet e Premier Ligës muajin që lamë pas.

Ndërsa trajneri holandez u vlerësua pasi “Djajtë” nuk u mundën asnjëherë në kampionat gjatë shkurtit. 53-vjeçari fitoi konkurrencën me Marko Silvën e Fulhamit dhe Antonio Konten e Totenhemit.

Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së nesërme kundër Sauthemptonit, Ten Hag vlerësoi përkushtimin e Veghorstit, i cili ndaj Betisit në Ligën e Europës shënoi golin e tij të dytë për Junajtidin, pavarësisht se shpërdoroi shumë: “Ai është shpesh në vendin e duhur dhe pastaj gabon, por vazhdon të mos dorëzohet”.

Por ish-tekniku i Ajaksit konfirmoi gjithashtu se Kristian Eriksen nuk do të rikthehet në dispozicion të skuadrës deri në pushimin e ndeshjeve të kombëtareve, por mesfushori danez, i cili u dëmtua në kavilje në janar, do të luajë përsëri këtë sezon:

“Pa dyshim që do të luajë sërish këtë sezon. Por unë nuk mund t’i them tani se kur janë pritshmëritë e rikthimit. Procesi i riaftësimit të tij është duke shkuar mirë. Do ta shohim sërish në fushë, por jo përpara pushimit të kombëtareve. Fernandesh? Jam i kënaqur me lojën e tij kundër Betisit. Ai tregoi personalitet. Ndonjëherë rrëmbehet nga emocionet, por është një lojtar i jashtëzakonshëm”.