Holanda është rikthyer. U vonua pak për t’u rindërtuar që nga Botërori i vitit 2014 ku arriti të shkonte në finale. Kaloi vite të vështira duke e parë Europianin 2016 dhe Botërorin 2018 nga shtëpia. Diçka e paimagjinueshme në atë kohë. Ndërrimi i ciklit ishte i detyrueshëm. Dhe mes ndryshimeve të shumta, ja ku erdhi momenti që skuadrën ta merrte në dorë një mit i futbollit holandez: Ronald Kuman.

Mbrojtësi legjendar e rimëkëmbi sërish ekipin e “tulipanëve” në të gjitha konceptet. Nuk ishte e lehtë. Kishte në skuadër shumë veteranë, të cilët po luanin vitet e fundit të karrierës, por edhe shumë të rinj që ende nuk kishin marrë ende përgjegjësinë e duhur në futboll. Dhe Kuman arriti të përmbyste këtë situatë: fitoi 3-0 kundër Gjermanisë dhe 2-0 ndaj Francës. Rikthehet të shikojë sy më sy potencialin e madh. Arsyet e këtij suksesi janë të shumta.

PORTIER I SIGURT- Jasper Silesen nuk është Van Der Sar, por mbron me fanatizëm kuadratin portës së tij. Fakti që te Barcelona është në stol, kjo gjë nuk ia ka ulur vlerat dhe kapacitetin që ka për të qenë titullar i Holandës. Madje, ka eksperiencë për të përballuar sa më mirë duelet vendimtare të luajtura deri tani.

MBROJTJE SHPËRTHYESE- Nuk ishte aspak e lehtë që të sillte në skuadër futbollistë të talentuar si Denzel Damfris (22 vjeç) apo Matis De Ligt (19 vjeç). Mbrojtësi i Ajaksit ëndërrohet nga gjysma e Europës dhe mbrojtësi i PSV-së ka fituar terren falë forcës fizike. Bashkë me këta talente është një i jashtëzakonshëm si Virxhil Van Dajk, i cili është lider i mbrojtjes së Holandës dhe i Liverpulit në kohët e fundit. E plotëson grupin Dajel Blind, i cili jep kontributin falë eksperiencës së tij.

MAGJIKU DE JONG– Është vetëm 21 vjeç Frenki De Jong. Është ai truri i kësaj Holande: komandon ritmin e lojës, i nxjerr të gjithë në sulm, i furnizon me topa lojtarët e sulmit. Në fushën e lojës duket si një veteran i vërtetë dhe tregon qartazi se shumë shpejt do të luajë në elitën e futbollit europian. Interesimi i jashtëzakonshëm i Barcelonës për të është një fakt domethënës. I pëlqen të zotërojë topin dhe teknika e tij është e një niveli të lartë. Me Francën shkëlqeu.

TË RILINDURIT– Memfis Depaj ishte njeriu i ndeshjes. Dështimi i tij në Mançester është diçka e historisë, sepse me Holandën është një lojtar tjetër. Ka gjetur vazhdimësinë dhe ndihet protagonist. E ka lënë mënjanë lojën individualiste dhe është vënë në shërbim të skuadrës.

Rezultati është i dukshëm. Diçka që ndodh pak a shumë me Rajan Babelin. Në moshën 32- vjeçare po përjeton një rini të dytë dhe Kuman i ka dhënë besim. Këto janë disa detaje që shpjegojnë rikthimin e një kombëtareje të aftë për të shkruar momente të arta të historisë. Mungon thjesht një hap drejt “Final Four” i Ligës së Kombeve. Djemtë e Kumanit janë gati për t’i rikthyer Holandës prestigjin e humbur.