Nga Endri ÇINARI
U vlerësua nga specialistët e futbollit dhe po ashtu lexuesit e “Shkodra Sport” si një prej talenteve të vitit. Fjala është për Kevin Dodaj, sulmuesi i talentuar i Vllaznisë që mori një nga çmimet e fundvitit të organizuara nga “Shkodra Sport”. Në intervistë për gazetën ai shprehet se ka qenë i emocionuar nga ky vlerësim. Po ashtu Dodaj thekson se një ëndërr iu plotësua në vitin 2023, e për vitin 2024 ka akoma të tjera objektiva.
-Kevin, u vlerësove si një nga talentet e vitit, krenar për këtë arritje?
Patjetër që po, dua të falenderoj gazetën “Shkodra Sport” dhe ata që më votuan. Do thotë shumë për mua dhe nuk mund të lë pa përmendur as mbështetjen e familjes sime.
-Si ishte ky vit 2023 për ty?
Një vit goxha pozitiv si në aspektin personal ashtu edhe në atë ekipor tek moshat. Besoj se ishte një vit i mirë, por që dua ta përmirësoj në të ardhmen.
-Vllaznia një ëndërr e plotësuar apo jo?
Mund ta them me plot gojën që po. Nuk besoj se ka ndonjë futbollist në Shkodër që nuk do të luajë me Vllazninë. E për mua ishte ëndrra e bërë realitet në këtë vit.
-Tashmë pjesë e ekipit të parë, çfarë duhet të presim nga Dodaj në vitin 2024?
Unë do punoj fort dhe të stërvitem mirë. Besoj se do kem rastin të tregoj vlerat dhe për këtë duhet të jem gati në momentin që shansi do vijë.
-Një dëshirë për vitin 2024?
Dua golin tim të parë si profesionist me Vllazninë. Pastaj të tjerat ia lëmë kohës.