Shkodra njihet si një ndër prodhueset më të mëdha të futbollit shqiptar. Ndër vite kanë dhuruar talente të shumtë dhe duket se i fundit që vjen nga ky qytet është Albi Shpuza. Sulmuesi i ditëlindjes 2003 që aktivizohet me ekipin e Shkodras së fundmi mësohet në mënyrë ekskluzive nga ana e Newsport.al se ka filluar një provë te ekipi i Pescaras në Itali.

Ekipi bardheblu është i dëgjuar në vendin tonë pasi aty luan edhe kapiteni i ekipit tonë kombëtar, Ledian Memushaj. Albi Shpuza duket se ka lënë një shije të mirë në provën e tij në Apenine.

Siç raporton newsport.al, djaloshi vetëm 16 vjeç që luan me të majtën, ka mahnitur deri më tani në kampionat ku është aktivizuar me ekipin e tij, Shkodra. Sulmuesi është edhe golashënuesi më i mirë i ekipit të tij dhe një ndër më të mirët në kampionatin e U-17.

Shpuza shpesh ka qenë edhe pjesë e kombëtareve tona të moshave dhe duket se tashmë është drejt hapit të madh. Prova tek ekipi i delfinëve do vazhdojë edhe për disa ditë të tjera, për të parë edhe rendimentin e shkodranit.

Djaloshi duket me një të ardhme të ndritur dhe në gjurmët e karrierës së xhaxhait të tij të ndjerë, Zamir Shpuzes, që në periudhën kur ka luajtur ka shkëlqyer me fanellat e Vllaznisë, Partizanit dhe kombëtares shqiptare. Koha do tregojë edhe për Shpuzen e ri, por pritshmëritë janë të mëdha për mëngjërashin e talentuar.