Marash Kumbulla është kthyer në liderin e mbrojtjes së skuadrës së Veronës e cila si rrallëherë në historinë e saj ka parë të regjistrojë 10 ndeshje me vetëm 8 gola të pësuar. Futbollisti shqiptar është kthyer brenda pak kohësh nga i panjohur në një yll të ekipit italian dhe shumëkush e ka cilësuar si zbulimin e këtij kampionati.

Por vetë 19-vjeçari, në intervistën e tij pas fitores kundër Parmës, ka deklaruar se nuk e shihte veten si një zbulim të këtij edicioni, por si një lojtar i cili në fushën e lojës po mundohej të bënte më të mirën për të shpërblyer atë besim që i ishte dhënë nga klubi.

“Arritëm t’i mbyllnim mirë, jemi përgatitur siç duhet për këtë ndeshje. Fatmirësisht arritëm të sigurojmë pikë të rëndësishme për objektivin tonë. Tani të festojmë dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës.

Nuk kishte një mbrojtje kështu te Verona që në vitin e titullit? Është diçka e bukur, është meritë edhe e trajnerit që na ka ndihmuar shumë në këto muaj, tani po marrim frytet e saj. Nuk ka sekrete të veçanta, duhet thjesht të punojmë mirë gjatë javës, pastaj përsëritim ato gjëra në ndeshje.

Nuk e shoh veten si një zbulim, luaj falë trajnerit dhe mundohem të shpërblej besimin duke luajtur në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Kumbulla. /vipsport/