“U fut në zyrën e presidentit të Lacios për të diskutuar rinovimin e kontratës si sulmues dhe doli me ultimatumin për të pranuar postin e drejtorit sportiv. ‘Çfarë mendimi ke për këtë skuadër? Unë e kam menduar prej kohësh këtë rol për ty ,për të cilin ke vetëm dy ditë kohë që të mendohesh’, i është drejtuar Lotito Tares në vitin 2008, kur edhe nisi gjithçka me një tjetër natyrë për ish-bomberin”, shkruan “Gianlucadimarzio” në një reportazh dedikuar një dekade suksesi të Tares në krye të bardhekaltërve, që më tej vijon.

RINOVIMI – Së fundmi, Tare pranoi. “Për rinovimin kanë mbetur vetëm disa detaje për t’u diskutuar, por është gjithçka e kryer”. Pikërisht në momentin kur bën dhjetë vite në krye të bardhekaltërve, vlen të kujtohet nisja. Iu deshën më pak sesa dy ditë për të thënë “po” dhe tanimë vazhdon të thotë shumë herë jo për gjithkënd që është në radhë për shërbimet e tij. Kjo, pasi me bardhekaltrit ka krijuar një lidhje që është më shumë sesa një vend pune e teksa shpesh e ka pranuar se ndihet mirë në Romë dhe me skuadrën.

PUNA – Punon vetëm. Pa skautë dhe me vëzhgim personal dhe takime me gjithkënd që vlerëson ta ketë në ekip. Intuita nuk e ka bërë të gabojë. Shumë transferime të goditura dhe që në fund kanë rezultuar thesare për racion. Shembuj? Milinkoviç Saviç tani blen thuajse 100 milionë euro, por është blerë 10-fish më pak, vetëm 10.

Thomas Strakosha është garanci dhe i shumëkërkuar, por është afruar për disa mijëra euro si sugjerim i mikut të tij, Fotos, legjendës së Kombëtares shqiptare, njëherazi edhe babai i portierit. Këto e shumë të tjera që e kanë bërë historinë e tij mëse të suksesshme në krye të bardhekaltërve. Së fundmi, ka një marrëveshje me agjentin Zhorg Mendes, një ndër më të famshmit në botën e futbollit.

DEKADA – Dhjetë vite janë pak për sa ka mësuar Tare nga këshillat e Lotitos apo të përvojës së tij. Gjatë kësaj periudhe, nga puna e tepërt përfundoi në një periudhë terapie intensive për shkak të stresit për gati nëntë ditë. Por, nuk mbaron me kaq. E dini se cila ishte kërkesa e tij e parë?

A mund të kem telefonin me vete? Një njeri që flet gjashtë gjuhë: shqip, italisht, anglisht, gjermanisht, spanjisht dhe greqisht tanimë ka luksin të zgjedhë mes ofertave që i vijnë, të cilat mund të jenë krejt të ndryshme nga ultimatumi i vitit 2008 për të vendosur për dy ditë… Një tjetër gjë e rrallë për Taren ishin edhe dhjetë ditë pushime në Dubai me familjen, ku telefoni i tij ishte thuajse i fikur. Vërtet e rrallë për natyrën e tij.

TROFETË – Goditjet dhe plusvalencat janë trofeu i tij më i madh, porse ka në koleksion me bardhekaltrit dy Kupa Italie, Superkupën e Italisë, por përpara ka një të ardhme për ta shkruar…