Suksesi që ka patur me Thomas Strakoshën që e bleu vetëm 75 mijë euro dhe sot ka një vlerë 40 milionë euro në treg, ka bërë që Igli Tare, drejtori sportiv i skuadrës së Lacios, të mos i anashkalojë asnjëherë grumbullimet e talenteve që zhvillohen në Itali. Për më tepër kur ato janë me lojtarë shqiptarë.Ish-futbollisti i kuqezinjve ka pikasur një mbrojtës të datëlindjes së vitit 2000 që aktivizohet te skuadrat e moshave të Pistoieses.

Sipas, “tuttomercatoweb”, Klej Luka ka tërhequr vëmendjen e Tares dhe ky i fundit ka nisur interesimin për shqiptarin. Nuk përjashtohet mundësia që mes klubeve të arrihet një marrëveshje dhe futbollisti të jetë pjesë e ekipeve të moshave të Lacios dhe kandidat për skuadrën e parë në të ardhmen.

Po kush është Klej Luka? Interesant është fakt se origjina e tij është nga Shkodra. Në fakt ai ka lindur në Itali por nuk e harron origjinë e tij. Luka ka dhënë një intervistë për gazetën “Shkodra Sport” ku ka folur për shumë gjëra që kanë të bëjnë me karrierën e tij të deritanishme por edhe ëndrrat e tij për të ardhmen:
-Klej përshëndetje. Nga mbiemri duket se me origjinë mund të jeni nga Shkodra. E vërtetë kjo?
-Po, është e vërtetë. Unë jam me origjinë nga Dajçi i Shkodrës. Familja ime ka emigruar në Itali pas viteve ’90 dhe unë kam lindur atje megjithatë, i mbaj lidhjet me vendin tim. Çdo verë jam aty dhe kam dëshirë të jem aty gjithmonë sa herë që më jepet mundësia.
-Kur e keni filluar futbollin?
-E kam nisur shumë herët, që në moshën 7 vjeçare. Kam filluar të luajë me ekipet e Pratos, më pas kam kaluar sezonin e kaluar tek Carpi ndërsa sivjet jam pjesë e ekipit Pistoiese.
-Ju stërviteni me ekipin e parë?
-Po, stërvitem çdo ditë me ekipin e parë të Pistoiese që merr pjesë në Serinë C ndërkohë që ndeshjet i zhvilloj me ekipin e të rinjve të këtij klubi.

-Në çfarë pozicioni luani?
-Luaj si mbrojtës qendre, këmba ime e preferuar është ajo e majta ndërkohë që jam 1.90 m i gjatë.


-Ditën e sotme, në mediat italiane ka qarkulluar lajmi se drejtori sportiv i Lacios Igli Tare ka dëshirë të ju marrë tek ky ekip. Keni dijeni për këtë gjë?
-Jo, nuk kam asnjë kontakt. Edhe unë e lexova në media. Nuk di të them me saktësi asgjë në lidhje me këtë gjë.
-Do të kishit dëshirë që të bëhej kjo lëvizje?
-Patjetër, do e prisja me shumë dëshirë sepse Lacio është emër i madh.
-Sakaq, ju ka ardhur ndonjëherë ndonjë ftesë nga ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë.
-Deri më tani jo. Kam marrë pjesë në dy stage që janë zhvilluar në Itali më parë ndërsa në një tjetër ndonëse isha i ftuar, nuk munda të shkoj sepse kisha ndeshje me ekipin e Carpit.

-Do të kishit dëshirë të përfaqësonit Shqipërinë?
-Padyshim. Mezi e pres një ftesë për të luajtur për kombëtaren shqiptare. Pavarësisht se jam lindur në Itali, unë jam shqiptar.
Intervistoi: Gjergj KOLA