“E njohim mirë se kush është, pasi të realizosh 27 gola në Shqipëri në një vit, tregon se di të shënosh”. Me këto fjalë drejtori sportiv i Ostendes, Hugo Bros bën me dije se Sindrit Guri do të vazhdojë të qëndrojë te klubi belg dhe se i duhet edhe pak kohë.

Megjithëse ai nuk po kalon një moment të mirë, drejtuesit e Ostendes janë të bindur në aftësitë e sulmuesit shkodran dhe me ardhjen e Tom De Suter në skuadër, duket se për Gurin nuk ndryshon gjë. Pak ditë më parë, mediat belge raportonin se me ardhjen e tij, me shumë gjasa Guri largohet por ka qenë vetë drejtori sportiv ai që e ka hedhur poshtë këtë tezë.

Bros shprehet se në skuadër ka vend për 4 sulmuesa dhe asnjëri mes Gurit, Sakalës dhe Zivkoviç nuk ka nevojë të largohet për t’i lënë vend De Suterit. Ai është i bindur se Guri do të tregojë veten e tij me kalimin e kohës.

“Asnjë sulmues nuk duhet të largohet për të bërë hapësirë për Tomin, por do të jemi me katër sulmues. E di që Guri shënoi vetëm një gol, por i japim atij edhe pak kohë. E njohim mirë se kush është, pasi të realizosh 27 gola në Shqipëri në një vit, tregon se di të shënosh shënosh”, u shpreh Bros. /VipSport/