Taulant Seferi do të largohet nga Ukraina pas vetëm një sezoni. Pasi bëri një edicion të shkëlqyer në Ukrainë, duke shënuar 13 gola në 28 ndeshjet që luajti që në sezonin e parë me Vorskla Poltavën sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë do e vijojë karrierën në Emiratet e Bashkura Arabe, teksa “SuperSport” zbulon dhe fotot e prezantimit të tij.

Lojtari nga Kumanova do të jetë pjesë e skuadrës së FC Baniyas në Abu Dhabi. Seferi është huazuar për një sezon me të drejtë blerje, me skuadrën nga Abu Dhabi që ka paguar një shifër të konsiderueshme për afrimin e futbollistit kuqezi.

Sulmuesi kalon tek Baniyas me ndërmjetësimin e kompanisë “Part of the Game” dhe gjatë aventurës së tij tek kjo skuadër do të përfitojë rreth 900 mije dollarë. Në rast se klubi nga Emiratet e Bashkuara Arabe do të blejë kartonin e 26-vjeçarit, atëherë do të paguajë një shifër të konsiderueshme.

Futbollisti nga Kumanova ka një karrierë të pasur, pasi ka dalë nga Rabotnicki, më pas u transferua në Zvicër tek Young Boys. Pas eksperiencave dhe me Xamax, Winterthur, Seferi kaloi tek Tirana ku fitoi dhe titullin kampion. Vorskla pagoi 500 mijë dollar për të, 26-vjeçari shënoi 13 gola, duke u renditur dhe shënuesi i dytë më i mirë i kampionatit.