Kupa e Shqipërisë për vajza do të zhvillojë këtë fundjavë ndeshjet gjysmëfinale të këtij edicioni futbollistik, që ashtu sikurse çdo sezon tjetër ka prodhuar shumë emocione në futbollin e vajzave, që ka rritur edhe më shumë cilësinë dhe konkurrencën mes ekipeve.

Të dyja takimet e këtij edicioni do të zhvillohen ditën e diel, teksa katër ekipet gjysmëfinaliste të këtij edicioni janë Vllaznia, Partizani, Tirana e Apolonia. Sipas skemës së përcaktuar nga Departamenti i Garave në FSHF, finalistët e këtij edicioni do të përcaktohen me ndeshje me sistem vajtje-ardhje, teksa takimet e para do të luhen këtë të diel, ndërsa ndeshjet e kthimit do të zhvillohen më 12 shkurt.

Partizani – Vllaznia dhe Apolonia – Tirana janë dy takimet gjysmëfinale të këtij edicioni të 14-të të Kupës së Shqipërisë. Të kuqet do të presin në shtëpinë e tyre të re, në kompleksin ‘Partizani’, ekipin e Vllaznisë, teksa takimi është planifikuar të nisë në ora 12:00. Kryeqytetaset kanë treguar cilësi e rritje të skuadrës në këtë edicion futbollistik, ndërsa Vllaznia vjen si kampione në fuqi e Kupës së Shqipërisë dhe do të kërkojë vetëm fitoren në këtë takim të parë.

Ndërkaq, sfida tjetër gjysmëfinale është ajo mes Apolonisë dhe Tiranës, një ndeshje mjaft interesante, që do të luhet në stadiumin ‘Loni Papuçiu’ në Fier në ora 13:00. Pritet që kjo ndeshje të jetë mjaft e fortë dhe tepër e luftuar, me kryeqytetaset të cilat kanë treguar superioritet gjatë këtij edicioni futbollistik, ndërsa Apolonia ka eksperiencën e mjaftueshme për të luajtur në gjysmëfinalen e një kompeticioni të tillë.

Gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë për vajza

5 shkurt 2023

Partizani – Vllaznia, ora 12:00, kompleksi ‘Partizani’

Apolonia – Tirana, ora 13:00 stadiumi ‘Loni Papuçiu’