Tashmë është thuajse zyrtare: Portën e Vllaznisë ditën e dielë në ndeshjen ndaj Erzenit, do ta mbrojë 18 vjeçari Kristi Qarri. Këtë gjë e ka konfirmuar vetë trajneri Canaj i cili ka bërë të ditur se dy portierët e ekipit të parë, Sherri e Selimaj janë të dëmtuar dhe nuk do munden të luajnë këtë fundjavë.

I datëlindjes 22 dhjetor 2000, Qarri është formuar tek Akademia Vllaznia dhe aktualisht është pjesë e ekipit U19 ku po tregon vlerat e tij më të mira dhe me të drejtë konsiderohet si pasuesi i Alen Sherrit për portën kuqeblu.

Në 22 ndeshje, Vllaznia U19 ka pësuar vetëm 13 gola (ndërkohë që ka shënuar 61), pra me një mesatare të kënaqshme prej vetëm 0.6 golash për ndeshje dhe një meritë shumë të madhe për këtë gjë ka edhe portieri, ashtu si i gjithë reparti i mbrojtjes apo dhe skuadra në tërësi që i zbaton mirë detyrat edhe në manovrën difensive, ashtu siç ka bërë edhe në atë ofensive duke shënuar shumë gola.

Qarri është evidentuar prej kohësh nga stafi i Akademisë dhe po ashtu, ka propozuar edhe firmosjen e kontratës me këtë portieri që konsiderohet i së ardhmes për këtë repart. Prova e tij e së dielës ndaj Erzenit do të jetë kësisoj testi i parë i tij i rëndësishëm i një karriere që pritet ta ketë të suksesshme.
© shkodrasport.com