Këtë fundjavë do të nisë edhe kampionati i kategorisë së tretë të futbollit shqiptar dhe pjesë e tij këtë sezon do të jetë edhe ekipi “Vllaznia B”. Klubi shkodran vendosi që të shkrijë ekipin U21 dhe të krijojë ekipin “B” i cili do të drejtohet nga trajneri Brikeno Bizi.
Kuptohet që objektivat e këtij ekipi do të jenë madhore dhe do të synojë ngjitjen në kategorinë e dytë, por gara sigurisht që do të jetë e fortë sepse rivalë pritet të ketë ekipe si Dinamo B etj.
Ekipi i dytë i kuqebluve ka mbi dy muaj që ka nisur përgatitjet dhe në fakt stafi teknik ka kaluar jo pak lojtarë nëpër duar. Ka patur edhe nga ata që mendohej se do të ishin pjesë e rëndësishme e kësaj skuadre si sulmuesi Koffi e mbrojtësi Temja që në fund zgjodhën të luajnë për Besëlidhjen.
Megjithatë stafi ka zgjedhur lojtarë të tjerë dhe tashmë çdo gjë është gati për startin e kampionatit. Ndeshjen e parë “Vllaznia B” do ta luajë në transfertë ndaj ekipit të Klosit dhe sigurisht që do të kërkojë ta nisë me fitore, për të thënë menjëherë fjalën e saj si pretendente.(www.shkodrasport.com)