Sot në Tiranë është zhvilluar kampionati kombëtar i mundjes për të rritur në të cilin kanë marrë pjesë të gjithë ekipet e vendit me sportistët e tyre më të mirë. Në mes tyre ka qenë edhe ekipi i Vllaznisë që drejtohet nga trajneri Nazmi Elezi.

Pjestarët e tij kanë bërë paraqitje përgjithësisht të mira dhe spikatin tre vende të treta të zënë prej mundësve shkodranë.Kështu, Maldin Camaj në peshën 65 kg është ngjitur në podium duke zënë vendin e tretë.

Po ashtu, këtë vend kanë zënë edhe mundësit Dashnor Koka në peshën 70 kg dhe Kristian Fiku në peshën 97 kg.Në bazë të rezultateve, në fund është bërë edhe renditja ekipore në bazë të së cilës Vllaznia është renditur në vendin e tretë në Shqipëri.

Padyshim që kjo është një arritje për këtë ekip, për vetë kushtet e vështira ku stërvitet dhe për më tepër, nisur edhe nga largimi i sportistëve cilësorë.

Gjatë zhvillimit të këtij kampionati, Federata Shqiptare e Mundjes ka akorduar edhe disa tituj për veteranë të këtij sporti. Ajo ka nderuar me titullin “Nderi i mundjes shqiptare, ish-mundësin e Vllaznisë, kampionin Agustin Mhilli.
© shkodrasport.com