Të gjithë presin Bekim Balajn! Alban Xhaferi i çuditi të gjithë duke sjellë në Shkodër një emër që dashurohej pa kushte. Sulmuesi i Kombëtares erdhi me misionin për ta kthyer titullin kampion në vendin e origjinës.

Në fillim, gjithkush nisi të festonte këtë afrim të bujshëm. Por koha dhe jehona e emrit ka mbaruar, Vllaznia kërkon pikët e munguara të titullit kampion dhe Bekim Balaj nuk ka shënuar ende golin e parë.

A është përshtatje që duhet lënë kohës apo duhet gjithmonë Partizani me Tiranën për të dalë në pritshmëri? Sigurisht, Bekim Balaj nuk mund ta ketë freskinë e dikurshme. Por ndeshja më e mirë e sulmuesit ka qenë ajo me Tiranën, ku ka luftuar në çdo cep të fushës dhe vihej re në fushë edhe pa shënuar.

Në çdo ndeshje tjetër, puna për mbrojtësit kundërshtar ka qenë e thjeshtë për të mbyllur Bekimin. Për sa kohë vazhdohet me të njëjtën përkushtim dhe çdo ndeshje tjetër cilësohet normale, te Vllaznia nuk pritet të ketë shumë ndryshime. Balaj duhet t’i luajë të gjitha takimet sikur të jetë ndaj Partizanit dhe Tiranës, si të ishin finale, vetëm kështu mund të ndezi zjarrin brenda shkodranëve. /Sport Ekspres/