Luks zgjedhjesh në sulm dhe një konkurrencë e madhe. Trajneri Mirel Josa është munduar të bëjë rrotacion të vazhdueshëm në repartin ofensiv, duke aktivizuar ata lojtarë që kanë qenë në gjendje më të mirë fizike.

Në ndeshjen e fundit me Teutën në majën e sulmit ishte Bekim Balaj, i cili më pas u zëvendësua afër fundit të lojës.

Ndërsa në takimin e parë çerekfinal të Kupës ndaj Partizanit, që u luajt më 1 mars në “Loro Boriçi”, Josa e nisi me brazilianin Kaina në sulm dhe ky i fundit justifikoi besimin duke shënuar dy gola shumë të rëndësishëm për të hedhur një hap drejt gjysmëfinales.

Tashmë në prag të takimit ndaj Partizanit për llogari të javës së 25-të të kampionatit, Josa është i dyzuar për të vazhduar me Balajn apo të rikthejë titullar Kainën.

Dilema të mëdha ka edhe për krahun e majtë të sulmit, aty ku Latifi, Çoba dhe Hoxhaj luftojnë për një fanellë titullari.