Me zyrtarizimin e listave të skuadrave pjesëmarrëse në Rusi 2018, tashmë njihen të gjithë protagonistët e aktivitetit që do të fillojë më 14 qershor në Rusi.

Por gjithashtu, njihen edhe emrat e atyre që nuk do të jenë protagonistë në këtë aktivitet.

Për këtë arsye, “Daily Mail” ka ndërtuar një formacion ideal me lojtarët më të spikatur të këtij edicioni apo sezoneve të fundit, të cilët do të ndjekin ndeshjet nga TV, ose maksimumi si spektatorë nga shkallët e stadiumeve në Rusi.

Në portë është Jan Oblak, portieri i Sllovenisë që ka shkëlqyer në vitet e fundit te Atletiko Madrid deke u cilësiar shpesh një ndër më të mirët në botë.

Para tij rreshtohen Antonio Valencia nga e djathta (Ekuador dhe Mançester Junajtid), Virxhil Van Dajk (Holandë dhe Liverpul), Leonardo Bonuçi (Itali dhe Milan) si dhe David Alaba (Austri dhe Bajern Mynih).

Të gjithë mbrojtës që kanë lënë shenjë në këto sezone me lojën e tyre dhe padyshim në shumë prej përfaqësueseve të Rusi 2018 do të ishin titullarë.

Edhe mesfusha është e mbushur me yje, duke filluar nga Rijad Mahrez (Algjeri dhe Leister), për të vazhduar me Marko Verrati (Itali dhe PSG), Leroi Sane (Gjermani dhe Mançester Siti) si dhe Gareth Bejl (Uells dhe Real Madrid).

Këtu bie në sy prania e Sane, i cili te Gjermania nuk gjeti vend, por thuajse në çdo kombëtare tjetër do të ishte kandidat për formacionin titullar.

Në sulm ka një dyshe që garanton gola. I pari është Karim Benzema (Real Madrid), i injoruar nga Franca, ndërsa i dyti është Pierr-Emerik Aubamejang (Gabon dhe Arsenal), një futbollist që do t’i bënte punë shumë përfaqësueseve të cilave u mungon njeriu-gol./vipsport/