Nëse jeni treguar pak të kujdesshëm, në çdo ndeshje të luajtur në fushën e “Redi Maloku” në Fushë Krujë, para dhe pas takimeve, ka pasur ankesa nga trajnerët e ekipeve të ndryshme të Superligës. Kjo fushë është liçensuar në fillim të sezonit nga FSHF-ja, që Kastrioti të luajë ndeshjet në shtëpi, për shkak se stadiumi i Krujës nuk plotëson kërkesat.

Mirëpo kjo fushë nuk është vetëm në dispozicion të Kastriotit, pasi në këtë terren luan ndeshjet në shtëpi skuadra e Ilirisë, që aktualisht militon në Kategorinë e Parë. Pra, në Fushë Krujë është e njëjta situatë si në Tiranë, ku në “Selman Stërmasi”, luajnë Tirana dhe Partizani çdo javë.

Mirëpo frekuenca e ndeshjeve që po luhen në Fushë Krujë është më e lartë se ajo në Tiranë. Të paktën në aspektin kohor, pasi nëse në Tiranën fusha e “Selman Stërmasit” ka mundësi një javë të rikuperohet, ajo e “Redi Malokut”, është duke pritur ndeshje çdo tre ditë.

Dhe me të drejtë trajnerët e Superligës ankohen për kushtet e saj. Pasi prej aty, çdo javë ka pasur lëndime lojtarësh për ekipet e Superligës, të cilët u kushtojnë shumë këtyre skuadrave.

Por që të dalim në temë, në harkun kohor të 15 ditëve, në këtë terren janë luajtur dy ndeshje dhe pritet të luhen dhe tre të tjera. Të shtunën më 28 tetor, Ilira luajti me Dinamon, ndërsa një ditë më pas Kastrioti luajti kundër Luftëtarit në shtëpi.

Këtë të mërkurë Kastrioti do të luajë sërish në shtëpi kundër Partizanit, ndërsa të shtunën do të luajë Ilira ndaj Vllaznisë në Kategorinë e Parë. Një ditë më pas sërish Kastrioti do të luajë në shtëpi kundër Kamzës. Pra në më pak se pesë ditë, në të njëjtën fushë do të luhen 3 ndeshje.