Ka qenë dëshira e tij prej kohësh që të ribashkohej me Vllazninë dhe mesa duket tashmë ka ardhur momenti ta bëjë realitet diçka të tillë. E kemi fjalën për sulmuesin Ildi Gruda.
Fakti që është shkodran, përveç edhe asaj që katër xhaxhallarët e tij kanë luajtur me Vllazninë, ashtu siç ka luajtur edhe vetë me ekipet zinxhirë të saj, e kanë shtyrë sulmuesin 23-vjeçar të mos hezitojë dhe t’i thotë menjëherë “po” ofertës së drejtuesve kuqeblu.
Kështu, nga sa mësohet nga “Shkodra Sport”, ashtu siç është raportuar edhe ditë më parë, akordi është arritur tashmë dhe nuk përjashtohet mundësia që firma me këtë futbollist të hidhet gjatë ditës së sotme.
Në fakt, është vetëm çështje orësh firma e tij, pasi gjithçka është mbyllur dhe ndoshta sot mund të kemi edhe prezantimin e sulmuesit Ildi Gruda si pjesë e kuqebluve. Ky do të ishte përforcimi i parë i Vllaznisë në merkaton e verës, teksa në vazhdim do të ketë edhe të tjera.
Maringlen ZHIVANI