Apolonia dhe Kastrioti, që do të jenë pjesë e Kategorisë së Parë këtë sezon futbollistik, janë në kërkim të një “timonieri” të ri në krye të pankinave të tyre rrespektive. Kështu, së shpejti të dy këto klube do të vendosin për trajnerin e ri të skuadrës dhe mësohet se një gjë e tillë do të ndodhë brenda këtyre ditëve.

Së fundmi, “Shkodra Sport” ka mësuar nga burime të sigurta pranë klubeve se, njëri ndër emrat kryesor për postin e trajnerit të ri tek klubet në fjalë është edhe tekniku shkodran që drejtoi Pogradecin, Samuel Nikaj. Në fakt, Nikaj e njeh mjaft mirë ambientin në Krujë dhe futbollin atje, duke qenë se edhe më parë ai ka punuar aty dhe madje ka arritur për ta ngjitur një kategori më lart, pra në Superiore.

Realisht, se sa mund të realizohet një lëvizje e tillë drejt Krujës mbetet për t’u parë, pasi nga ajo që ka mësuar “Shkodra Sport”, trajnerin Nikaj nuk e ka kontaktuar askush deri në këto momente që flasim nga drejtuesit e Kastriotit. Megjithatë, emri i tij ka disa ditë që po lakohet në qarqe të ngushta nga drejtuesit krutanë si një ndër kandidatët për drejtimin e klubit të tyre.

Krejt ndryshe qëndron situata me Apoloninë, e cila ka pasur bisedime me trajnerin shkodran. Megjithatë, në vazhdim mbetet për t’u parë dhe zbuluar gjithçka, me Samuel Nikajn që shikohet si një nga kandidatët për marrjen e drejtimit të këtyre ekipeve. Kujtojmë këtu se, të dyja këto klube, si Apolonia, ashtu edhe Kastrioti kanë mbetur pa trajnerë pas largimit të Veljko Dovedan dhe Emiliano Çelës së fundmi.
Maringlen ZHIVANI